
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri deklaroi se qeveria ka miratuar projektligjin, i cili do të autorizojë një grup ndërinstitucional që të nisë negocimin e kontratës për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.
Në një konferencë për mediat, Gjiknuri deklaroi se për ky aeroport ka tërhequr vëmendjen e tre kompanive turke prestigjoze, të cilat punojnë edhe për aerprotin e më të madh që po ndërtohet në Stambollit. Sipas tij aeroporti i Vlorës do të jetë më i madh dhe më modern se ai i Rinasit.
“Me vendim të qeverisë parashikohet një grup negociator me përfaqësues të MIE, Financave dhe nga institucionet e tjera, të cilët në një periudhë gati 90-ditore do të negociojnë detajet e kësaj oferte dhe më vonë do të pasohet me nënshkrimin e kontratës dhe fillimin e punimeve të aeroportit. Ky investim ka një ofertë prej 100 milion euro dhe do të jetë tërësisht privat, pa asnjë investim nga shteti. Aeroport i Vlorës do të jetë edhe më i madh se aeroporti i Rinasit", tha ministri Gjiknuri.
Qeveria tha ministri Gjiknuri, po studion alternativa për të vënë në punë edhe Aeroportin e Kukësit dhe po mendohet projektimi i një tjetri në Sarandë.
“Po punohet intensivisht dhe për krijimin e akseseve të tjera, si të aeroportit të Kukësit, por njëkohësisht dhe studimin e fizibilitetit për aeroportin e Sarandës, një aeroport turistik që do i shërbejë pjesës së jugut të vendit dhe Sarandës, një zonë që ka intensitet të lartë turizmi", tha Gjiknuri.



