
Presidenti Bajram Begaj, priti sot Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkovic, i cili ndodhet në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor.
Begaj vlerësoi e mira e tradicionalisht miqësore mes dy vendeve si dhe rolin e veçantë që ka luajtur dhe luan diaspora shqiptare në Kroaci, duke iu referuar diasporës së vjetër të Arbanasve të Zarës si “një krenari e përbashkët”.
Lidhur me partneritetin e ngushtë në NATO, Begaj vlerësoi rrugëtimin e përbashkët të dy vendeve, të cilat sot kontribuojnë me të gjitha kapacitetet politike e diplomatike për garantimin e paqes dhe të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Begaj vlerësoi mbështetjen që Kroacia i ka dhënë e po i jep Shqipërisë dhe procesit të zgjerimit, duke shtuar se “organizimi i Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë është mesazhi më i mirë për këtë mbështetje”.
Të dy bashkëbiseduesit u ndalën dhe në zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar domosdoshmërinë e vijimit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe ndikimin e përshkallëzimit të agresionit ushtarak rus në Ukrainë për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë.



