Me rastin e 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, organizoi një pritje solemne në ambientet e Presidencës me pjesëmarrjen e personaliteteve të politikës dhe drejtuesve të institucioneve.
Gjatë fjalës së tij, kreu i shtetit u ndal posaçërisht te zhvillimet e fundit dhe protesta e zhvilluar ditën e sotme në Ditën e Flamurit, duke përcjellë një mesazh për dialog, vëmendje ndaj të rinjve dhe ruajtjen e unitetit kombëtar.
Duke iu referuar tubimeve të qytetarëve dhe studentëve, Begaj theksoi se protesta është një e drejtë kushtetuese e dobishme për demokracinë, por nënvizoi se "dhuna, shkatërrimi dhe imponimi nuk janë zgjidhja e as alternativa".
Kreu i shtetit vuri në dukje se në vend po rritet një brez i ri që kërkon më shumë zë, përfshirje dhe mundësi reale për të ardhmen.
Begaj apeloi për zgjidhje përmes rrugës institucionale, duke kujtuar se demokracia kërkon që qytetarët të ndihen nën të njëjtën çati edhe kur mendojnë ndryshe. "Ajo që na bashkon është më e madhe sesa ajo që na ndan", deklaroi ai.
