
Nesër më 18 mars, do të mbahet raundi i ri i bisedimeve në mes të Kosovës e Serbisë në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të dialogut të Brukselit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka konfirmuar pjesëmarrjen, ashtu sikurse edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, shkruhet në njoftimin për medie të Bashkimit Evropian.
Ndërsa si nikoqirë të këtij takimi do të jenë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, i mbështetur nga emisari special i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak.
Sipas agjendës së publikuar nga BE-ja, Dialogu në Ohër do të fillojë në mëngjes në orën 10:00 me mbërritjen e pjesëmarrësve.
Përfaqësuesi i lartë, i mbështetur nga përfaqësuesi i veçantë i BE-së Miroslav Lajčák, do të mbajë së pari takime bilaterale të ndara me udhëheqësit njëri pas tjetrit, duke filluar nga ora 10:30, pas së cilës do të mbahet një takim trilateral i përbashkët.
Takimi do të fokusohet në finalizimin e Aneksit Zbatues të Marrëveshjes së BE-së, në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Do të ketë një deklaratë për median nga përfaqësuesi i lartë në fund të takimit. Koha e saktë do të specifikohet gjatë pasdites.



