
Presidenti Ilir Meta pas takimit me ministrin slloven Anže Logar, ministrin austriak Alexander Schallenberg dhe ministrin çek Jakub Kulhánek, bëri thirrje që negociatat për Shqipërinë të mos vonohen më.
Kreu i shtetit u takua me përfaqësuesit slloven, çek dhe austriak, për t’i falënderuar për mbështetjen e tyre dhe për të kërkuar zbatimin e reformave.
Meta shkruan se duke vlerësuar Presidencën e ardhshme sllovene të BE-së si mundësi të favorshme për vendin tonë dhe për të gjithë rajonin, ai nënvizoi rëndësinë, që ka çelja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe përparimi me shpejtësi në këtë proces.
“Vlerësova miqësinë tradicionale mes këtyre vendeve dhe Shqipërisë duke i falënderuar veçanërisht për ndihmën dhe mbështetjen miqësore dhe të vazhdueshme, që i japin Shqipërisë në procesin e integrimit europian. Duke vlerësuar Presidencën e ardhshme sllovene të BE-së si mundësi të favorshme për vendin tonë dhe për të gjithë rajonin, nënvizova rëndësinë, që ka çelja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe përparimi me shpejtësi në këtë proces. Duke uruar, që të gjitha përpjekjet e përbashkëta si për zbatimin e reformave ashtu edhe për një vendimmarrje pozitive europiane të korrin sukses të shpejtë, i falënderova edhe një herë të tria vendet për mbështetjen e sinqertë dhe këmbëngulëse.



