Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka dorëzuar sot funksionin dhe kabinetin ndërmjet kryeministrit aktual Zoran Zaev dhe kryeministrit të sapozgjedhur Dimitar Kovaçevski.
Kovaçevski në fjalimin para deputetëve tha se fokusi i programit të qeverisë është te qytetarët, ekonomia dhe ballafaqimi me pasojat e pandemisë dhe krizës energjetike.
Ai theksoi se nuk duhen zgjedhje të reja, duke paralajmëruar rritje të pensioneve dhe rritje të pagave minimale dhe mesatare, si dhe reforma në arsim. Duke folur për kontestin me Bullgarinë, Kovaçevski tha se bisedimet do të vazhdojnë dhe do të intensifikohen pa rrezikuar identitetin e popullit.
Qeveria e Kovaçevskit ka 21 anëtarë - nga LSDM 11, BDI gjashtë, Alternativa, tre dhe një ministër nga LDP.
Kabineti i ri qeveritar ka një anëtar më shumë se ai i mëparshmi, ministër pa portofol, post që pas formimit të mazhorancës së re parlamentare i përkiste Alternativës.



