Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Agron Shehaj pasi votoi në Selinë Blu ka folur për mediat ku u shpreh se zgjedhjet brenda partisë nuk janë vetëm për kryetarin, por dhe për fatin e zgjedhjeve parlamentare të ardhshme.
Ndërkohë duke i qëndruar deklaratës së mëparshme, Shehaj u shpreh se “standardi i ulët i demokracisë” në këto zgjedhje mund t’i kthehet në boomerang PD-së.
“Falenderoj mbështetësit dhe vëzhguesit e mi në të gjithë Shqipërinë. I ftoj demokratët që të votojnë me qetësi. Nuk zgjedhin vetëm kryetarin e ri të PD, por vendosin fatin e zgjedhjeve të ardhshme. Standardi i ulët në këtë proces mund të kthehet në një bumerang për PD…Është akoma më e rëndësishme besueshmëria e PD.”, u shpreh Shehaj.
Kujtojmë se më herët Shehaj denoncoi parregullsi në procesin e votimit, duke thënë se në një pjesë të madhe të qendrave të votimit vëzhguesit e tij janë përjashtuar dhe janë penguar të monitorojnë procesin.
Gjithashtu kandidati për kryetar i PD-së, tha se mijëra anëtarë të PD-së janë përjashtuar nga lista e përgatitur nga komisioni qendror i zgjedhjeve të partisë.



