
Taulant Balla ka folur për vendimin e qeverisë dhe votimin e mazhorancës për mbylljen e lojërave të fatit dhe ka hedhur akuza të ashpra në drejtim të kryetarit të PD-së Lulzim Basha.
Gjatë një takimi me gra dhe vajza në Elbasan, kreu i grupit parlamentar të PS-së, deklaroi se në vitin 2009, kreu i opozitës Basha ka liruar të burgosur për ti përdorur në zgjedhje.
“Pjesa më e madhe e pronarëve të këtyre kompanive, sikurse e tha edhe Kryeministri sot në kuvend, ishin persona të dënuar për vepra të ndryshme kriminale. Ja pra ku ndahen ata që seriozisht e kanë betejën me krimin dhe ata që krimin e kanë thjesht dhe vetëm një alibi për si kanë bashkëpunuar ata me krimin. Nuk është larg 2009-a dhe Elbasani e di fare mirë si bashkëpunoi Lulzim Basha me persona me të shkuar kriminale, madje i nxori edhe nga burgu, për ti përdorur për intimidimin e socialistëve, për intimidimin e qytetareve të Elbasanit”, tha Balla, gjatë një takimi me gra dhe vajza në Elbasan, ku u fol për nismën e qeverisë që u votua sot në parlament, për mbylljen e lojërave të fatit dhe basteve sportive.
Balla gjatë fjalës së tij theksoi se nëse PD do ta donte familjen shqiptare duhet të ishte sot në Kuvend të votonte ligjin.
“E pra kjo është e vërteta e madhe, sot Partia Demokratike, nëse realisht e do familjen shqiptare, i do nënat dhe motrat shqiptare, i do të mirën këtij vendi, duhet të ishte e pranishme në Kuvendin e Shqipërisë dhe të jepte votën pro mbylljes së basteve dhe të lojërave të fatit në këtë vend. Megjithatë, Partia Demokratikë, ne e dimë, ekip, ku ekip ata, lidership, jo e jo, program as që bëhet fjalë”, shtoi Balla.
Më herët gjatë kësaj të enjteje, Basha bëri akuza të ngjashme ndaj kryeministrit Edi Rama. “Sot, mund të themi me siguri se krimi i ka siguruar Edi Ramës të paktën 10-15 deputetë përmes kërcënimit, grabitjes dhe blerjes së votës”, tha kryedemokrati gjatë një deklarate nga selia blu.



