
Komisioni i Integrimit ka miratuar ditën e sotme projektrezolutën e Kuvendit për Integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Çështjet që përfshihen në këtë dokument lidhen me reformën në drejtësi, administratën publike, luftën kundër krimit të organizuar, si dhe të drejtat e njeriut.
"Përparësitë janë reforma në drejtësi, administratë publike, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar si dhe të drejtat e njeriut. Po ashtu në një rend demokratike, i cili udhëhiqet nga parime dhe institucione demokratike, vend të veçantë zë edhe reforma zgjedhore", thuhet në rezolutë.
Kryetarja e Komisionit, Rudina Hajdari tha se palët janë dakordësuar për amendimet dhe se Kuvendi pret një përgjigje pozitive nga Këshilli Europian për çeljen e negociatave.
Ndërkohë, propozuesi i kësaj projektrezolute, Ditmir Bushati, u shpreh se “Kuvendi duhet të nxisë institucionet tjera përgjegjëse me qëllim ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsiont dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, brenda vitit 2019. Ndër të tjera kërkohet specifikimi në p/rezolutë angazhimi i Kuvendit për miratimin e reformës zgjedhore brenda vitit 2019”.
Gjithashtu, kuvendi vlerëson raportin e Komisionit Evropian të datës 29 maj dhe rekomandimet e tij për reformat e mëtejshme në kuadër të procesit integrimit.
Theksojmë, se ky dokument u miratua nga të gjithë deputetët e mazhorancës dhe opozitës në Parlament, duke mos marrë asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
Në përfundim të kësaj projektrezolute, Kuvendi inkurajon vendet anëtarë të BE që të zyrtarizojnë hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Republikën e Shqipërisë.



