Anëtari i presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës, Millorad Dodik të enjten ka votuar kundër njohjes së Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme të presidencës.
Anëtari tjetër i presidencës, Zhelko Komshiç, i cili edhe e ka bërë propozimin për shqyrtimin e njohjes së Kosovës, ka votuar pro, sikurse anëtari tjetër, Shefik Xhaferoviç.
Vendimi merret me konsensus të tre anëtarëve.
“Dodik nuk e pranoi njohjen e Kosovës si shtet të pavarur. Ne votuam 2-1 për atë vendim. Dodik ishte kundër dhe kjo do të jetë një temë në javët e ardhshme. Pritet që Dodik të kërkojë një seancë të Asamblesë Kombëtare të Republikës Serbe dhe të paraqesë ato tema ku ndërlidhet Kosova dhe Republika Serbe. Kjo është një temë e rrezikshme që mund të përshkallëzohet me historinë e ndarjes, dhe supozoj se të gjithë e dini ku na çon tërë kjo”, ka thënë Komshiç.
Kërkesa për të shqyrtuar njohjen e Kosovës u paraqit para presidencës trepalëshe të Bosnjës disa ditë pasi në Uashington, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje për normalizim ekonomik.
Komshiq tha se Dodiku iu referua marrëveshjes në Uashington, e cila u nënshkrua nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
“Kosova është një realitet, Kosova është një shtet i pavarur dhe të gjithë e dimë atë. Kushdo që ka frikë nga një vendim si njohja e Kosovës nuk duhet të ulet në Presidencën e Bosnje dhe Hercegovinës”, tha Komshiç.



