
Presidenti Ilir Meta ishte i pranishëm në aktivitetin përmbyllës të 550 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut. Kreu i shtetit u shpreh se heroi kombëtar do të jetë gjithmonë krenaria jonë, ndërsa kërkoi bashkëpunim dhe konsensus nga të gjitha forcat që të realizohet hapja e negociatave në qershor.
“Le të jetë një vit i reflektimit në rrugëtimin drejt BE. Skënderbeu do të jetë ylli polar i vendit tonë në çdo kohë dhe çdo herë. Duhet të përforcojmë rrugën për çeljen e negociatave në qershor, kjo do të jetë e mundur përmes një bashkëpunimi mes të gjitha forcave’ deklaroi Meta.
Kreu i shtetit gjithashtu bëri thirrje që ky vit i përkujtimit të tij të jetë një vit drejtë integrimit tonë si komb përmes një bashkëpunimi të sinqertë mes forcave politike.
“Gëzimet, festat e çdo gjë e jona ka në ballë figurën e tij. Kujtesa e përjetshme e kombit tonë për kryeheroit tonë. Ky vit i përkujtimit le të jetë një vit drejt integrimit tonë si vend, si komb, aty ku na e caktoi vendin heroi ynë në Europë, ylli polar i kombit tonë. Kjo do jetë e mundur përmes një bashkëpunimi të sinqertë mes forcave politike për ta kthyer 2018 në një vend të sigurtë për të ardhmen europiane të vendit,” tha Meta.
Në ceremoninë e organizuar nga Presidenca ku ishin të pranishëm arbëreshët, Meta njoftoi se do të ketë disa aktivitete në Itali këtë vit.



