
Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla, gjatë fjalës së tij në seancwn e sotme plenare, u ndal tek vota e emigrantëve. Balla fajësoi PD-LSI për votat e emigrantëve, duke shtuar se ata e kanë kushtëzuar këtë të drejtë.
Më tej ai shtoi se ende partitë politike kanë të drejtë vendimmarrje në KQZ, por theksoi se këto janë zgjedhjet e fundit që partitë politike do të kenë këtë kompetencë.
“E them publikisht që vota e emigrantëve më 25 prill është bllokuar nga PD-LSI. Ata e kanë penguar këtë. Ajo që unë po them, unë nuk e di arsyen pse PD dhe LSI kanë kaq urrejtje për shqiptarët që jetojnë jashtë territorit. Ne kemi bërë gjithçka kemi mundur, ju falenderoj dhe juve për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, por PD dhe LSI e kanë bllokuar përfundimisht. I ftoj qytetarët që jetojnë jashtë territorit, nëse është mundësia të vijnë të votojnë, do të ishte e vyer.
Këto do të jenë zgjedhjet e fundit që politika ka vendimmarrje çështje zgjedhore. Ajo që dua t’iu them është se nuk marrim vendime që largon PD nga zgjedhjet. Sot që flasim PD nuk ka depozituar ende kandidatët, dimë ne që Luli del dhe thotë nuk marr pjesë në zgjedhje. Pjesëmarrja e opozitës është një domosdoshmëri”, deklaroi Balla.
Balla nuk ngurroi ndër të tjera të ironizonte presidentin Ilir Meta, ku tha: “Unë njoh një person që ka kaluar në këto faza, është Ilir Merta, në fillim i iku dashuria, qetësia, tani më duket i ka ikur dhe mendja”, tha Balla.



