Asnjë nxënës nuk do të përfshihet në fushatën zgjedhore pasi fokusi i shkollave është mbyllja e objektivave arsimore. Kështu e argumentoi ministrja e Arsimit Lindita Nikolla urdhërin e lëshuar pak ditë më parë prej saj për marrjen e masave për mospërfshirje të nxënësve në fushatë.
"Gjithë fokusi i punës së shkollave, drejtuesve të arsimit specifikisht mësuesve është vetëm përmbyllja me sukses dhe realizimi i objektivave shkollore". Të vijojnë me fokus kryesor përmbylljen me sukses të këtij viti shkollor. Nga ana tjetër të denoncojnë çdo subjekt apo individ që bën presion për të përfshirë nxënësit apo mësuesit në fushata elektorale. Po ashtu kategorikisht e ndaluar përdorimi i ambienteve shkollore për aktivitete politike", tha Nikolla.
Referuar akuzave të demokratëve për rritje të tarifave për studentët Nikolla pohoi se prej 2014 nuk ka patur asnjë rritje tarifash dhe se as këtë vit tarifat nuk do të ndryshojnë, e ministria do të vazhdojë me publikimin e të vërtetës.
“Nuk ka rritje tarifash që nga 2014, madje edhe këtë vit nuk do të ketë rritje tarifash në 2017-2018. Ne do vijojmë me publikimin e së vërtetës të shohim kush gënjen”, theksoi ministrja.
Universitetet ende nuk kanë dalë me një vendim për tarifat, por me ç’duket edhe ky vit akademik do t’i mbajë në të njëjtat nivele.



