
Presidenti Bajram Begaj, ndodhet sot në Estoni në vijim të vizitave shtetërore që ka ndërmarrë në Republikat Baltike.
Ai u prit me një ceremoni shtetërore në pallatin presidencial Kadriorg në Talin nga homologu estonez, Alar Karis, me të cilin zhvilloi takimin kokë më kokë dhe më pas atë me praninë e delegacioneve përkatëse.
Forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, finalizimi i procesit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, zgjerimi i Unionit në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi për sigurinë kibernetike, Ukraina dhe reagimi kundër agresionit rus, ishin në fokus të bisedës në takimin kokë më kokë mes Presidentëve të dy shteteve.
Presidenti i Republikës, shprehu besimin se kjo vizitë do të rrisë bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjellë, ndërsa njoftoi hapjen e një linje direkte me Tiranës e Talinit.
“Linja direkte shkurton distancën, rrit shkëmbimet ekonomike, turizmin dhe afron më shumë dy popujt.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, shprehu besimin se kjo vizitë do të rrisë bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjellë, si: turizmi, energjetika, siguria kibernetike, shërbimet elektronike dhe në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit.
Veç mundësive për rritjen e turizmit, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, theksoi faktin se mes dy shteteve ka ende hapësira për rritjen e investimeve estoneze në Shqipëri, si në energji, bujqësi, në fushën e teknologjisë së informacionit dhe në atë kibernetike.
Në takim u vlerësua ndihma estoneze ndaj Shqipërisë përballë pasojave nga sulmi kibernetik i vitit 2022 dhe, në këtë aspekt, Presidenti Begaj theksoi se ky bashkëpunim mund të thellohet përmes akademisë estoneze për trajtimin dhe kualifikimin e të rinjve shqiptarë në fushën kibernetike.
Si dy vende në NATO, Shqipëria dhe Estonia janë të përkushtuara të avancojnë agjendën e bashkëpunimit për mbrojtjen kombëtare dhe hapësirën e përbashkët kibernetike.



