Pas kërkesë së SPAK drejtuar Kuvendit, për arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, pasditen e sotme do të mblidhet Këshilli i Mandateve. Gazetarja Oliverda Allmuça nga studio e MCN Live bëri me dije se Këshilli për Rregulloren dhe Mandatet dhe Imunitetin do të mblidhet në orën 16:00, mbledhje që do të zhvillohet në Kryesinë e Kuvendit. “Lindita Nikolla nuk humbi kohë pas kësaj kërkese të SPAK, por menjëherë është marrë vendimi që në orën 16:00 të ditës së sotme të mblidhet këshilli i mandateve. Pastaj kanë kohë 17 ditë që të marrin një vendim. ata kanë vendosur të jenë të shpejtë dhe ky është njëlloj mesazhi. Të gjitha mbledhjet kanë qenë të mbyllura dhe përveç këshillit të mandatit dhe hartimit të raportit kanë të drejtë që të mbledhin dhe një seancë të jashtëzakonshme”. Ndaj Arben Ahmetajt janë ngritur tre akuza penale, korrupsion pasiv, pastrim parash dhe deklarim i rremë dhe fshehje pasurie. Për këto akuza është kërkuar dhe arrestimi i tij. SPAK i kërkoi Kuvendit që mbledhjet për të vlerësuar arrestimin e Arben Ahmetajt të bëhen të mbyllura për shkak të sekretit hetimor. Prokuroria Speciale nuk i ka dërguar Kuvendit thjesht një kërkesë, por edhe materiale voluminoze që sqarojnë të paktën 6 episode korrupsioni ku dyshohet të jetë përfshirë Arben Ahmetaj.



