
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, i përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj del me deklaratë ku thuhet se sot Edi Rama, i kapur në flagrancë nga drejtësia amerikane se ka korruptuar dhe bashkëpunuar me një agjent të FBI të lidhur me Rusinë, jo vetëm iu fsheh Kuvendit, por detyroi Lindita Nikollën të mbyllë Parlamentin.
Në qëndrim shtohet se veprimi i sotëm i kryetares së Kuvendit, është akt i paprecedent në 32 vjet demokraci.
Në vijim njoftohet se grupi parlamentar i PD, do të nis procedurën për shkarkimin e Lindita Nikollës si kryetare e Kuvendit.
Në shkelje flagrante të Rregullores, Kryetarja e Kuvendit i mohoi të drejtën deputetëve të Kuvendit që të diskutojnë për çështjet e përfshira në Rendin e Ditës, duke përdhosur parlamentarizmin dhe duke minuar funksionimin demokratik të Kuvendit.
Ndërsa drejtësia amerikani asgjësoi politikisht Edi Ramën, duke faktuar para botës mbarë, lidhjen e tij korruptive me një zyrtar të FBI-së, të lidhur me Rusinë, Kryetarja e Kuvendit asgjësoi Parlamentin për llogari të Edi Ramës.
Gjithashtu, nga sot Parlamenti i Shqipërisë ka humbur mundësinë për të funksionuar në mënyrë demokratike dhe përgjegjës për këtë janë vetëm Edi Rama dhe Lindita Nikolla.
Për shkak të shkeljes flagrante të Rregullores, minimit të parlamentarizmit dhe funksionimit demokratik të Kuvendit, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, bazuar në pikën 4, të nenit 114 të Rregullores, ka vendosur të nis procedurën për shkarkimin e Kryetares së Kuvendit znj. Lindita Nikolla.



