
Kryedemokrati Sali Berisha në fjalimin e përmbrëmshëm nga dritarja e banesës së tij, përshëndeti deputetin dhe nënkryetarin e grupit parlamentar demokrat, Ervin Salianji, i cili nga dita e sotme do të vuajë dënimin me një vit burg.
Që është sot qytetari i vetëm i Europës i burgosur, sepse guxoi të denoncojë vëllain trafikant të kriminelit Fatmir Xhafa, Geron Xhafën, i cili në vend të burgjeve për të cilat kërkohej si trafikant ndërkombëtar në Itali dhe Venezuelë, drejtonte nga Vlora nën mbrojtjen e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës trafiqë droge dhe trafiqe të tjera kriminale.
Ky akt dëshmon edhe njëherë, se Edi Rama është bir besnik i xhelatit Kristaq Rama, dhe se Edi Rama do një Shqipëri pa opozitë, njëlloj si i ati që si xhelat firmoste ekzekutime dhe varje të kundërshtarëve politikë. burgosja e n/kryetarit të grupit parlamentar të PD, Ervin Salianji nuk erdhi në këtë regjim si rrufe në qiell të hapur.
Jo, erdhi përkundrazi, si një akt kriminal i shëmtuar i përpjekjeve makabre të mafies shqiptare e ndërkombëtare për një Shqipëri pa opozitë, për një Shqipëri parajsë të krimit, për një Shqipëri të zbrazur nga shqiptarët.
Të dashur miq, regjimi i Edi Ramës ka vendosur të rrëmbejë mandatin e 4-t për herë të parë në historinë e pluralizmit, duke burgosur, persekutuar drejtuesin e opozitës, sepse përndryshe Edi Rama dhe organizata kriminale që i drejton e ka të qartë se nuk mund të marrë kurrë mandat të ri.
E ka të qartë se për krimet që ka kryer ndaj shqiptarëve, për vjedhjet e tij që rrokin qiellin, për gjenocidin që ka kryer kundër shqiptarëve ai do dënohet me veprat më të rënda penale.
Bastardi i xhelatëve bllokmenë, i kthyer në narkodiktator arreston, burgos kundërshtarët politikë vetëm dy javë para çeljes së negociatave në BE, për t’i dëshmuar kështu shqiptarëve dhe europianëve se negociatat po çelen me Lukashenkon e Bjellorusisë, me diktatorin e Taxhikistanit, me diktatorin e Turkmenistanit, i cili nuk ka normë, nuk ka ligj që respekton përveç urrejtjes atërore ndaj opozitës, mbajtjes më çdo kusht të pushtetit të tij.
Salianji do të nisë vuajtjen e dënimit një ditë pasi Gjykata e Apelit la në fuqi dënimin me 1 vit burg për veprën penale të “Kallëzimit të rremë” në lidhje me çështjen e njohur publikisht si dosja “Babale”.
Vetë Salianji e ka cilësuar procesin si të montuar nga fillimi në fund dhe e quajti veten një të dënuar politik.
Salianji u dënua më 18 dhjetor 2019 me 1 vit burg në shkallën e parë, pasi audio-përgjimi për dosjen “Babale” sipas gjykatës rezultoi se nuk ishte i vërtetë, por i stisur.



