
Drejtuesi Politik i Partisë Demokratike për Elbasanin, Gazment Bardhi u takua me të rinj, studentë dhe votues për herë të parë, ku ndau me ta pjesë të programit të PD-së dhe i siguroi për vullnetin që ka për ti bërë ata nesër pjesë të ushtrimit të përgjegjësive.
Gjatë fjalës së tij, Bardhi theksoi se rinia është më e prekura dhe më e zhgënjyera nga këto 8 vite qeverisje.
“Prej fillimit, porosia që i kam lënë ekipit është se dua çdo ditë të kem takim me të rinjtë. E di mirë se pjesa më e zhgenjyer në këto 8 vite keqqeverisje është rinia. Nëse unë ju pyes sot a doni të jetoni në Shqipëri apo të ikni, jam i sigurtë se pjesa dërrmuese do ngrini dorën e do pohoni se doni të largoheni jashtë.
Kjo për faktin se këtu nuk shihni asnjë mundësi. Meritokracia dhe zotësia nuk ka rëndësinë që do duhej të kishte në një vend që ka 30 vite që pretendon se është demokraci funksionale. Zhgënjimi juaj është treguesi më i mprehte i matjes së asaj që ka ofruar qeveria në këto 8 vite”, u shpreh Bardhi.
Ai shtoi se pas dy mandateve, një qeveri do të duhej të bënte bilanc, por në mungesë të kësaj, kryeministri aktual vetëm shan opozitën dhe bën propagandë me gjërat që nuk i takojnë atij.
Bardhi tha se rinia e ka vullnetin dhe dëshirën për të shërbyer, për të marrë përgjegjësi për qytetarët dhe vendin, vetëm se u duhet dhënë një shans. Ai solli eksperiencën e tij kur ka nisur punë pasi mbaroi universitetin, dhe tha se këtë ndryshim e kemi në dorë ta bëjmë me 25 Prill, por më së pari, duhej angazhimi dhe pjesëmarrja e të gjithëve në zgjedhje.
“Shihni programin e PD. Dy janë fjalët që përsëriten më shpesh aty. Rinia dhe familja. Jam me vullnetin e plotë që këtu në Elbasan t’u japim mundësinë të rinjve për të administruar pushtet e për të marrë në dorë shërbime që u duhen ofruar qytetarëve, përfshirë dhe në institucione shtetërore.
Thjesht dikush duhet t’u japë mundësinë ta tregoni këtë, të manifestoni zotësinë, vlerat tuaja të tregoni se e doni Shqipërinë. Zëri juaj në këto zgjedhje do duhet të jetë i fuqishëm, më së pari duke marrë pjesë. Bashkarisht do të kthejmë shpresën se këtu mund të jetohet e të ndërtohet e ardhmja”, deklaroi Bardhi.



