
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, dhe kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, kanë replikuar sot para mediave pas daljes nga seanca parlamentare.
Balla ironizoi Kryemadhin, duke i thënë se Basha nuk i la radhë të fliste.
“Ty ta zuri Luli vendin dhe nuk ke mundësi të flasësh. Më vjen shumë keq që bashkëshortja e Presidentit bën zhurmuesin”, tha ai.
Ndërsa Kryemadhi gjeti rastin t’i kujtonte Ballës një episod të vitit 2008 në Parlament.
“S’jam marrë as me motrën tënde, as me gruan tënde unë Taulant. Rri urtë, mos u merr me çështje politike. Ti nuk bëhesh dot ministër i Brendshëm”, tha ajo.
Përgjigjja e Kryemadhit të kujton një debat të korrikut 2008 mes deputetit Taulant Balla dhe kryeministrit të asaj kohe, Sali Berisha. Në atë kohë, Balla u shpreh në foltoren e Parlamentit se vajza e kryeministrit kishte ambicie për t’u bërë ministre.
“Jot motër dhe jote shoqe, çfarë do të bëhen?”, ishte përgjigja e Berishës.



