Themeluesi i Lëvizjes “ZGJIDHJA” Koço Kokëdhima ka zhvilluar një takim me socialistët e Lushnjës. Ai tha se “ZGJIDHJA” do të kthehet në parti politike. Kokëdhima ka theksuar se për 20 vjet ka shpenzuar nga pasuria e tij për të mirën dhe për bashkimin e së majtës shqiptare, ndërsa Rama e ka shkatërruar Partinë Socialiste. Ai shtoi se “ZGJIDHJA” do të punojë për një Shqipëri të mirë e të begatë.
“Deri në datën 29 prill ne do marrim vendimet. “Zgjidhja” do të kthehet në parti politike. Rama punoi deri në fund për përçarjen e PS-së dhe për likuidimin politik të Kokëdhimës dhe të “Zgjidhjes”. Kokëdhima investoi gati 20 vjet pasuritë dhe gjithçka kishte për të mirën dhe bashkimin e të majtës, për fuqizimin dhe demokratizimin e Partisë Socialiste. Rama po e përçan përfundimisht PS-në, ndërsa unë lufova deri në fund për ta mbajtur atë të bashkuar. Historia do ta gjykojë Ramën si problemin dhe mua si zgjidhjen për të majtën dhe për Shqipërinë. Për shumicën e plagëve të rënda të popullit tonë, të ekonomisë dhe të sistemit politik në Shqipëri. Çdo socialist dhe qytetar në Shqipëri do ja faturojë Ramës këtë përçarje të Partisë Socialiste, jo mua", deklaroi Kokëdhima.
Gjatë fjalës së tij, ish-deputeti socialist theksoi se deri sot Zgjidhja ka regjistruar në bazat e saj të të dhënave 15 mijë anëtarë. "Në fund të muajit prill presim të kemi 20-25 mijë anëtarë. Në pak javë “Zgjidhja” do të jetë formacioni i katërt politik i vendit. Çdo anëtar I zgjidhjes do punojë për të rekrutuar një anëtar të ri jashtë lidhjeve të tij të gjakut. Ne nuk duam rekrutime formale. Anëtarët e Zgjidhjes janë misionarë. Ata do zgjidhin situatën e vështirë që ka populli ynë. Ata do të ndryshojnë sistemin politik në Shqipëri, do thyejnë në mes partitokracinë dhe do vendosin Demokracinë kushtetuese, sundimin e ligjit, lirinë e konkurrencës në ekonomi, politikë e kudo dhe do begatojnë vendin. Anëtarët e Zgjidhjes do I kthejnë popullit pushtetin e grabitur nga kryetarët!", tha Kokëdhima.
Themeluesi i Lëvizjes “ZGJIDHJA” deklaroi se një anëtar i “Zgjidhjes” nuk është një numër, nuk është një vegël që e përdorin kryetarët dhe servilët e kryetarëve për pushtetin e tyre, nuk është as “një përdorimësh”, dhe as “shumë përdorimësh”! Një anëtar i zgjidhjes është një luftëtar i ndërgjegjshëm për ta shkulur nga rrënjët varfërinë, maskarallëkun dhe korrupsionin e pushtetarëve, arrogancën, paaftësinë dhe tutkunët e qeverisë, nëpërkëmbjen dhe përbuzjen ndaj njerëzve të thjeshtë.



