
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, thotë se asnjë projekt nuk mund të justifikojë nxjerrjen në rrugë të banorëve të pallatit në rrugën “Myslim Keta”. Në një postim në Facebook, Xhixho thotë se rasti i sotëm është një shkelje e rëndë e së drejtës së pronës dhe i shërben vetëm interesave të kryebashkiakut Erion Veliaj.
Pabesia dhe arroganca e një pushteti që plaçkit qytetarët e vet u pa sot sërish.
Në paligjshmëri të plotë, banorët e pallatit në rrugën “Myslim Keta” u nxorën jashtë, si të ishin pushtues dhe jo qytetarë të thjeshtë që kanë derdhur në ato shtëpi djersën e një jete.
Njësoj si banorët e Astirit, Bregu të Lumit dhe 5 Majit, ata u hodhën në rrugë, sepse trualli është ajo që i duhet Bashkisë së Tiranës.
Miliona euro që dalin prej aty për të shkuar në xhepat e oligarkëve është arsyeja pse shkelen me këmbë të drejtat e pronës së qytetarëve.
Asnjë projekt zhvillimor nuk justifikon padrejtësinë dhe arrogancën me të cilët qytetarët hidhen në rrugë.
Përgjigjen ndaj agresionit të pushtetit, si shumë qytetarë të tjerë, ata do e japin me votë më 14 maj!



