Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili në një konferencë me përfaqësuesin ligjor të Ilir Metës, Genci Gjokutaj deklaroi se Gjykata e Tiranës, ka rrëzuuar Prokurorinë, e cila nuk nisi hetimin pas kallëzimit të bërë nga kryetari i Partisë së Lirisë, për Autoritetin e Dosjeve.
Vasili deklaroi se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka pranuar ankimimin e bërë nga avokati Gjokutaj lidhur me çështjen e Autoritetit të Dosjeve, ku pretendohej për një bashkëpunëtor të ish-Sigurimit të Shtetit me inicialet I.M.
Një çështje skandaloze, ku gjykata pranon ankimin dhe rrëzon vendimin për mos fillimin e hetimeve lidhur me çështjen që Ilir Meta ngriti padi kundër Autoritetit të Dosjeve.
Ky vendim është i rëndësishëm pasi vërteton çdo gjë që ne kemi bërë publike kur paraqitëm ankimimin dhe arsyet konkretë.
Prokuroria ka arritur deri aty sa nuk ka dëgjuar fare palën akuzuese, por ka dëgjuar vetëm palën e akuzuar, anëtarët e autoritetit të dosjeve dhe vetëm mbështetur në dëshmitë e tyre ka vendosur mosfillimin.
Prokuroria duke mos regjistruar procedimin penal as nuk ka marrë dokumentet, të cilat provonin shumë qartë shpërdorimin e detyrës, mashtrimin dhe manipulimin e Anëtarëve të Autoritetit të Dosjeve.
Është fakt publik, që vetë drejtuesja e Autoritetit, zonja Genta Sula, ka pohuar publikisht me gojën e saj në intervistën në datën 9 shtator 2022 me gazetarin Blendi Fevziu, se dy anëtarët e Autoritetit kanë bërë verifikime, ndërkohë po vetë drejtuesja e Autoritetit Genta Sula në dëshminë e saj në prokurori ka dëshmuar të kundërtën, duke thënë se nuk është kryer ndonjë verifikim dhe hetim për zotin Meta.
Pra dëshmi të qarta shumë kontradiktore, që kërkonin detyrimisht hetim të thelluar nga prokuroria, e cila nuk e ka kryer këtë.
Sipas tij, është një shkelje shumë e rëndë penale fakti i provuar totalisht që pa bërë hetim dhe verifikim për identitetin e z. Meta, Autoriteti i Dosjeve ka dërguar informacion zyrtar duke përcaktuar emrin e zotit Ilir Meta të lidhur me dosjet e sigurimit, pa pasur asnjë lloj dokumenti, që provonte gjeneralitetet.



