
Edhe pasditen e sotme, banorë e “Astirit” kanë vijuar protestën e tyre kundër prishjes së banesave duke kërkuar dëmshpërblim 100% nga shteti.
Në mbështetje të tyre ishte edhe kreu i PD-së Lulzim Basha dhe deputetë të kësaj force politike që kanë hedhur akuza në drejtim të qeverisë.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vijon të insistojë se projekti "Unaza e Madhe" është një skemë pastrimi parash dhe se forca e tij politike do t’i mbështesë deri në fund banorët e ‘Unazës së Re’ në kauzën e tyre. Më tej, ai kërkoi për këtë "mega aferë" arrestimin e ministrit të Energjitikës dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri dhe kreut të ARRSH-së, Afrim Qendro.
"Këtu nuk është vetëm projekt vjedhjeje, por edhe një projekt pastrimi ndërkombëtar parash. Kjo është arsyeja pse ka nisur hetim SHBA. Po hetimi shqiptar ku është? E kam thëne edhe herë të tjera, që të burgosurit janë politikë e Ramës, në atë qeveri nuk duhet të jetë Dorjan (Protoduari), por Damian Gjiknuri. Pse nuk fillon hetimi për personat që kanë ideuar këtë skemë korruptive, pse nuk fillon hetimi për Ramën që ka bërë bisedime kokë më kokë me Dida X? Nuk duhet të lini Prokuroren e Përgjithshme dhe vartësit pa një përgjigje”, u shpreh Basha.
Në fjalimin e tij, kryedemokrati ka deklaruar se projekti i “Unazës së Re” është një aferë vjedhjeje, e drejtuar nga kryeministri Rama, por sipas tij është edhe një projekt pastrimi ndërkombëtar parash.
Basha i bëri thirrje Prokurorisë që të shpejtojë me hetimet, siç janë hapur nga ana tjetër për firmën fantazmë në SHBA.



