Kreu i LSI-së është shfaqur në krah të kryebashkiakut të Tiranës për përurimin e rikonstruksionit të shkollës “Kongresi i Lushnjes” në kryeqytet. Gjatë fjalës së tij para nxënësve dhe stafit pedagogjik të kësaj shkolle, Meta theksoi nevojën për tolerancë politike.
“Takuam shumë mjekë të ardhshëm, takuam shumë futbollistë të ardhshëm, takuam shumë shkencëtarë të ardhshëm, shpresojmë që në të ardhmen të takojmë më shumë politikanë të ardhshëm nga kjo shkollë që të jenë më të mirë sesa ne, më të përgjegjshëm sesa ne dhe të jenë më tolerantë me njëri-tjetrin më shumë sesa ne në mënyrë që fëmijët e Shqipërisë të shohin sa më pak politikanë dhe debate politikanësh në televizion dhe të shohin sa më shumë filma dhe eksplorime”, tha ai.
Meta falenderoi për angazhimin e bashkisë në rikonstruksionin e shkollës ku vetë Meta ka kryer shkollën fillore, ndërsa e ëma e tij ka punuar si mësuese.
“Dua të falenderoj lali Erin për kujdesin që tregoi për shkollën ‘Kongresi i Lushnjes’. Disa u mërzitën se e panë me duar bosh dhe i kërkuan fiq, tani unë ju siguroj që kur t’i merrni të gjitha 10 do vinë dhe fiqtë këtu, do të vijmë edhe ne përsëri t’u urojmë dhe t’ju përgëzojmë. Por dhe po morët ndonjë 9 nuk ka problem. Rëndësi ka të doni njëri-tjetrin më shumë, të doni mësueset tuaja dhe mbi të gjitha të doni sa më shumë librat dhe dijen”, tha ai.



