
Presidenti Ilir Meta ka pritur sot në takim homologun e tij kosovar, Hashim Thaçi.
Meta është shprehur i kënaqur për vizitën e Thaçit, i cili ndodhet në Tiranë në kuadër të Samitit të Brdo-Brijuni.
“Shumë i kënaqur të takohesha sot me Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet në Tiranë në kuadër të Samitit të Brdo-Brijuni”.
Më tej Presidenti ka shtuar se temë diskutimi në takimin e përbashkët ishte rritja e bashkëpunimit rajonal si domosdoshmëri për integrimin europian, ndërsa është shprehur përkrahës se liberalizimi i vizave për Kosovën është i merituar.
“Vlerësuam marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe nënvizuam nevojën e rritjes së bashkëpunimit rajonal, si domosdoshmëri për integrimin europian.
Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, mëse i merituar”- shkruan Meta në Facebook.
Nga ana e tij, Presidenti Hashim Thaçi ka falënderuar presidentin Meta, për organizimin e këtij Samiti, i cili mbledhë të gjithë liderët e rajonit, për të diskutuar për të ardhmen evropiane dhe për të nxitur komunikimin për fqinjësi të mirë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimorë.
Presidenti Thaçi ka theksuar se ky samit është një mundësi e radhës për të diskutuar për marrëdhëniet fqinjësore dhe integrimet euro-atlantike.
“Pas Marrëveshjes së Prespës ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, duhet të shfrytëzojmë momentumin për të zgjidhur të gjitha mosmarrëveshjet në rajon”, ka theksuar presidenti Thaçi.
Presidenti Thaçi gjatë ditës pritet të takojë Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Frederica Mogherini.



