Profesori Fatos Tarifa tha në emisionin “Arnautistan” se Shqipëria s’i ka trajtuar dhe vlerësuar ambasadorët tanë siç do të duhej. Tarifa tha se shpesh ambasadorët kanë qenë “dispeçer”, që prisnin në aeroport ministrat që vinin.
Kam arritur të kuptoj kaq gjë që ne në Shqipëri s’i kemi trajtuar dhe vlerësuar ambasadorët tanë siç do të duhej. Janë vlerësuar shumë më tepër në vendin pritës se sa nga qeveria e tyre. Shumë herë ambasadorët kanë qenë dispeçer, prisnin në aeroport personalitet që vinin. Kur një ministër Bujqësie pa njoftim vjen në Uashington për një konferencë, dhe të kërkon shefi i kabinetit dil dhe prite, ishte e tepërt dhe qesharake. I kam kundërshtuar në disa raste. Ruaj një përshtypje shumë të mirë për Presidentin Meidani, jo sepse ai më akreditoi në Hagë dhe Uashington. Ishte njeri me të cilin bisedoje, kuptonte. Të tjerë kanë pasur huqe.
Ajo që më shqetëson është që ambasadoret në detyrë janë lënë në detyrë për një kohë të gjatë, vite përtej mandatit që përcakton ligji. Për arsye të luftës politike mes kryeministrit dhe ish-Presidentit. Por edhe për një arsye tjetër që kryeministrat e kanë bërë vetë punën e ambasadorit. Të lësh një ambasador 7-8-9 vjet, ta harrosh, s’është në dinjitetin e shtetit. Një mandat 3 deri në 4 vjeçar është koha e përshtatshme për të bërë një punë sa më me rendiment”.
Tarifa tregoi se çfarë e përkeqësoi marrëdhënien e tij me Ilir Metën, kur ky i fundit ishte kryeministër.
Edhe kryeministri Meta, pavarësisht se marrëdhënia me të u përkeqësua, edhe kryeministri Nano më besonin punë. Ajo që më bëri të ndahem me Metën ishte sepse më kërkonte t’i qëndroja luajal atij. I kam thënë jo, asnjë individi, asnjë partie, vetëm interesit kombëtar”.
I pyetur për ekspozitat e kryeministrit Rama jashtë vendit, Tarifa tha:
Nuk është domosdoshmërisht e gabuar. Njerëz nga arti dhe kultura mund të bëhen diplomatë. Por kryeministri është mbi diplomatin. Por është ambasadori zëri dhe fytyra e vendit të rij në vendin pritës. Këtë rol s’mund ta marrë kryeministri. Rama shikohet si rast i veçantë. Ndoshta nuk ka edhe një artist, një piktor, që të jetë në krye të qeverisë. Nuk dua që imazhi i vendit të krijohet nga imazhi i kryeministrit. Është shumë pak imazhi i një individi që të përfaqësoj vendin tonë”.



