Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në kuadër të përgatitjes të procesit zgjedhor ka nisur fushatën e informimit dhe sensibilizimit të zgjedhësve dhe administratës publike.
“KQZ së bashku me Akademinë e Studimeve Politike e cila mbështetet nga KiE, BE dhe Ambasada e Mbretërisë së Hollandës, kanë përgatitur një material të detajuar mbi ndalimin e përdorimit të burimeve shtetërore për qëllime elektorale”, njoftoi sot zyra për shtyp e KQZ.
“Që prej datës 25 dhjetor 2020 kanë filluar efektet e dispozitave të reja të Kodit Zgjedhor bazuar në ndryshimet e bëra, të cilat parashikojnë ndalimin e veprimtarive publike dhe përdorimin e burimeve shtetërore në një periudhë 4 mujore deri në zgjedhjet për Kuvend të dates 25 Prill 2021”, thekson KQZ.
Sipas KQZ, “këto kufizime synojnë ndër të tjera mospërdorimin apo vënien në dispozicion të fondeve dhe burimeve publike për qëllime të subjekteve zgjedhore”.
“Me qëllim informimin dhe sensibilizimin e të gjithë administratës publike lidhur me detyrimet institucionale dhe ndalimet e parashikuara nga Kodi Zgjedhor dhe Vendimi nr. 9 i KQZ, informacioni i detajuar iu është dërguar drejtuesve më të lartë të ministrive dhe bashkive, për shpërndarjen e mëtejshme tek i gjithë zinxhiri i administratës”, thekson KQZ.



