Ministri i Transporteve Sokol Dervishaj vijon të jetë në terren për të mbikëqyrur punën e institucionit që ai drejton për përballimin e situatës në infrastrukturën rrugore si pasojë e reshjeve të dëborës dhe motit të ftohtë.
Numri një i transporteve ishte në zonën e Dibrës ku pa nga afër situatën e krijuar nga dëbora. Dervishaj u bëri apel edhe një herë tjetër drejtuesve të automjeteve që të përdorin zinxhirët dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore. “Në Qafë Buall rruga e kalueshme për automjetet. Drejtuesit të kenë kujdes dhe të përdorin zinxhirët. Kemi marrë masat për përballimin e situatës.” tha Dervishaj
Ministri theksoi se borëpastrueset kanë qenë në funksion për pastrimin e rrugës nga dëborë, por era e fortë e shpërndan atë, duke mbuluar sërish rrugën.
“Pavarësisht situatës nuk ka asnjë problem në qarkullim. Situata e qarkullimit është në kontroll të vazhdueshëm dhe janë marrë masat e domosdoshme. Ministria dhe Institucionet e tjera kanë marrë masat për përballimin e situatës. Bëj apel që në këto ditë mos të bëjmë deklaratë për të përfituar politikisht. Duhet të jemi të kujdesshëm, pasi deklarata të nxituara ngjallin panik të panevojshëm. Në këto ditë është e rëndësishme të solidarizohemi. Firmat kontraktore dhe Ministria janë në gatishmëri me masa shtesë në këto ditë. Firmat kontraktore kanë hedhur sasi të mëdha kripe në çdo aks. Qytetarët sidomos në zonat malore të kenë kujdes dhe të përdorin zinxhirët”, tha ministri Dervishaj.



