Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se, aktualisht, nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës më 18 dhjetor.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës "duhet të jetë prioriteti më i lartë".
Kthimi kah dhuna dhe frikësimi, përfshirë përdorimin e një mjeti shpërthyes, dhe rrezikimi i jetëve nuk janë kurrë metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë.
Komentet vijnë një ditë pasi grupe të qytetarëve serbë në veri penguan hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar edhe incidente me armë zjarri dhe granata.
Hovenier tha se SHBA-ja i dënon këto akte dhe u bëri thirrje të gjithë të përfshirëve për përmbajtje.
Disa grupe të qytetarëve serbë në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut penguan të martën hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar edhe incidente, por pa pasoja në njerëz.
Zyra e KKZ-së në veri të Mitrovicës është demoluar dhe është jashtë funksionit.
Zgjedhjet në katër komunat në veri të banuara me shumicë serbe - Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan - u shpallën pasi kryetarët e tyre dhanë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj planit të Qeverisë së Kosovës për t'i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.
Zgjedhjet për kryetarë të katër komunave në Veri pritet të mbahen me 18 dhjetor, ndërsa zgjedhjet për kuvendet komunale me 25 dhjetor.



