Partia Demokratike ka depozituar sot në Kuvend projektligjin për vetingun në politikë. Në një bashkëbisedim me gazetarët, kreu i selisë blu, Lulzim Basha, tha sot se pret që ky projektligj të ndjekë të njëjtën rrugë si ligji i dekriminalizmit.
“Ligji është depozituar sot. Ne do ta votojmë pro, Edi Rama ka për detyrë vetëm të përgjigjet nëse do të votojë pro apo kundër tij. Opozita është tërësisht e angazhuar për drejtësi të pakapur. A ka shqiptar që të thotë sot t’i mbajmë deputetët, ministrat dhe kryebashkiakët e lidhur me krimin derisa të bëhet drejtësia. Detyra jonë është t’i nxjerrim një orë e më parë nga institucionet. Ia dolëm për ligjin e dekriminalizimit, edhe kësaj radhe do t'ia dalim. Vetingu për politikanët do t’i japë fund edhe kësaj forme të re të bashkëpunimit mes krimit dhe qeverisë”, tha Basha.
Kreu i demokratëve tha se ligji për vetingun e politikanëve është i njëjtë si ai për vetingun në sistemin e drejtësisë.
“Ligji është identik ligji për gjyqtarët dhe prokurorët, por është shtuar subjekti, pra politikanët. Si mundet që një polic i thjeshtë të humbë vendin e punës se rri me një kriminel, ndërsa një drejtues ta mbajë vendin e punës edhe pse rri me një kriminel. Ligji i ka të qarta rangjet. Deputetët e kuvendit, anëtarët e kabinetit, kryetarët e bashkive”, tha ai.



