"Edi Rama kërkon të marrë nën kontroll drejtësinë me pushtetin absolut të mbretit, duke qenë vetë kryeministër, vetë gjyqtar, vetë xhelat". Këto ishin deklaratat e kryetarit të PD-së Lulzim Basha gjatë një takimi me komunitetin shqiptar të Londrës.
Basha tha se shqiptarët e kanë vuajtur këtë nën diktaturë dhe se opozita nuk do të pranojë kurrë që Edi Rama ta kthejë Shqipërinë në të njëjtën gjendje, ku një njeri i vetëm kontrollon me dorë të hekurt Parlamentin, Qeverinë dhe Drejtësinë.
“Ky është fundi i reformës në drejtësi dhe ky është hapi vendimtar i rrëshkitjes së vendit në diktaturë. Nëse në datë18 dhjetor Edi Rama zgjedh me votat e tij kryeprokurorin, ky është fundi i shtetit ligjor, fundi i demokracisë dhe opozitës i lind detyra të japë përgjigjen e merituar”, tha Basha.
Kreu i PD-së tha se duke mbrojtur dhe promovuar kriminelët, Edi Rama e ka futur Shqipërinë në listën e zezë. Kryeopozitari u shpreh gjatë takimit se Partia Demokratike e ka treguar me prova, si në rastin e heqjes së vizave, se ka vullnet për ta luftuar krimin.



