
Ish komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi pritet të rikthehet në pozitën që e kishte para arrestimit. Mediat kosovare bëjnë të ditur se gjenerali Selimi është emëruar Ambasador i Kosovës në Tiranë. Deri më tash, i ngarkuar me punë në ambasadën e Kosovës në Shqipëri ka qenë, Sylë Ukshini.
Më 25 janar të këtij viti, paneli për lirim me kusht e kishte liruar nga burgu, ish-komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi.
Më 24 maj 2013, Sylejman Selimi gjatë kohës sa ishte ambasador i Kosovës në Shqipëri, ishte arrestuar dhe më vonë ishte shpallur fajtor për një vepër penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile nga Gjykata Themelore në Mitrovicë. Ai ishte dënuar me 6 vjet burg.
Në rastin “Drenica”, janë gjykuar disa nga ish-komandantët e UÇK-së të cilët bartnin funksione publike, qoftë deputetë apo edhe kryetarë komunash, si Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Fadil Demaku, Nexhat Demaku e të tjerë.



