
Kryedemokrati Sali Berisha akuzoi qeverinë si përgjegjëse për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në zyrën e tij në Gjykatën e Apelit.
Në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat ai deklaroi se narkoshteti shqiptar vrau gjykatësin në zyrën e tij.
Berisha akuzoi Kryeministrin Edi Rama se e kaloi sigurinë e gjykatave nga Policia e Shtetit te “policia e xhepit”.
Kur them narkoshteti, natyrisht e kam të qartë që dorasi nuk ishte punonjës i shtetit, por dorasi nuk mund ta kryente kurrë aktin në qoftë se shteti do ishte shtet dhe jo narkoshtet. Kurrë!
Salla e gjyqit është e presupozuar të jetë vendi më i sigurt i shtetit për vetë kompleksitetin e proceseve. Dhe në sallën e gjyqit u shkreh një batare kundër një gjykatësi, sikur të ishte në mes të rrugës.
Sikur të ishte në një shesh, në një kafene, por në një institucion shtetëror. Unë dua të informoj shqiptarët se me një vendim të datës 8.7.2020, Edi Rama ka anuluar vendimin e mëparshëm të qeverisë të datës 28.4.2010, i cili ngarkonte Policinë e Shtetit përgjegjëse për mbrojtjen dhe sigurinë e gjykatave.
Pra, pas ndryshimeve, më parë ka qenë garda, por u ngarkua në vitin 2010 me një vendim qeveria, siguria e gjykatave dhe prokurorive mbrohej nga Policia e Shtetit. Edi Rama e kalon këtë siguri nga Policia e Shtetit tek policia e xhepit.
Merr vendim me datën 8.7.2020 ku ua heq sigurinë ndaj dhe Koçiu lante duart. Policia nuk ka përgjegjësi, thoshte.
Pra, ia dha patronazhistëve, policisë së xhepit, mbrojtjen. Ka pasur reagime, siç i keni parë, reagime mendoj unë emotive dhe në bindjen time më të thellë, të padrejta, se me asgjë vrasja nuk justifikohet.
Me asgjë vetëgjyqësia nuk justifikohet. Por doni ta dini? Ky është rasti flagrant, por u them unë ju në vetëgjyqësi për shkak të këtij sistemi janë qindra të vrarë në Shqipëri gjatë 4-5 viteve të fundit.
Janë qindra të plagosur. Po, po, statistika e investiguesve kjo. Nuk ka gjyqe. Shqiptarët, e kemi thënë 100 herë, 200 herë, janë të vetmit në Europë që kanë humbur të drejtën e procesit ligjor të drejtë.
Procesi ligjor i drejtë nënkupton procesin ligjor në kohën e duhur. Shqiptarët nuk e kanë këtë. E kanë pasur afatin 2 deri në 4 vite, maksimumi, të procesit ligjor, tani e kanë 15 vite dhe sipas stokut 230 mijë dosje, përfshi në të gjitha shkallët e gjyqësorit, sipas këtij stoku, specialistët thonë duhen 20 vite.



