
Partia Socialiste është e unifikuar në lidhje me emrin që do të votojë për kryerokuror të përkohshëm. Grupi parlamentar i PS-së vendosi sot që të mbështesë unanimisht kandidaturën e Arta Markut për prokurore të Përgjithshme të përkohshme.
Tre janë kandidaturat që janë dërguar në Parlament për postin e kryeprokurorit të përkohshëm.
Arta Marku, zv.drejtuese e Prokurorisë së Rrethit Shkodër; Ferdinand Elezi, drejtues i Prokurorisë së Durrësit dhe Ermira Tafani, prokurore në Elbasan, janë tre emrat që janë dërguar për votim në Parlament.
Ndërkohë, jashtë Parlamentit janë mbledhur protestuesit e thirrur nga PD-ja dhe LSI-ja.
Edhe PD mblodhi grupin parlamentar pak para nisjes së seancës për të vendosur në lidhje me strategjinë që do të ndjekë ditën e sotme. Mësohet se deputetët e PD-së do të jenë pjesë e seancës, por edhe e protestës para Parlamentit. Ata do të alternohen me grupe, duke qenë të pranishëm në të dyja njëkohësisht.



