Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së së Rithemelimit, Gazment Bardhi ka reaguiar menjwherw pasi presidenti Begaj dekretoi ligjin për zonat e mbrojtura.
Ky i fundit shprehet se presidenti humbi mundësinë të jetë shërbyes i interesit publik.
Përsëri sot Presidenti i Republikës humbi mundësinë të jetë shërbyes i interesit publik. Dekretimi prej tij i ligjit që shkatërron zonat e mbrojtura është tjetër provë se për Kreun e Shtetit në çdo rast prevalon interesi korruptiv i klientëve të Edi Ramës dhe jo interesi i qytetarëve shqiptar.
Kurrë në më shumë se 30 vjet Shqipëria nuk ka patur një President që nuk guxon të ngrihet në lartësinë e detyrës, si garant i Kushtetutës, ku përcaktohet se identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë.
Më tej ai shtoi se që nga emërimi në detyrë Presidenti i Republikës ka kthyer për rishqyrtim vetëm një ligj, që sipas Bardhit lidhej me interesat personale të tij.
Ndërkohë një shumësi ligjesh, që prekin interesin e qytetarëve, që bien ndesh me Kushtetutën, ligje me porosi klienteliste apo korruptive, janë miratuar me kokën ulur nga Presidenti i Republikës, duke u vetëshpallur si degë e ekzekutivit dhe duke humbur rolin e tij kushtetues.
Shqipëria ka nevojë urgjente për rikthimin e balancës mes pushteteve, duke nxitur kontrollin e ndërsjellt mes tyre. Rikthimi i mekanizmave demokratike dhe mbrojtja e demokracisë është më i domosdoshëm se kurrë.



