Gjatë mbledhjes së kryesisë së FRD, kreu i kësaj force politike Bamir Topi ka diskutuar në lidhje me situatën politike në vend dhe zgjedhjen e strukturave.
Në fjalën e tij ish-presidenti Topi u shpreh se FRD nuk është për qeveri teknike.
“Situata parazgjedhore tepër e rëndë. Nuk kemi qenë për qeveri teknike, këtu ndahemi me opozitën. Komisioni i reformës zgjedhore në mënyrë të qëllimshme është braktisur për të krijuar alibi për zgjedhjet që vijnë. I bën thirrje faktorit ndërkombëtar, pasi kemi humbur totalisht besimin nga faktorët e politikës, të hyjnë me shpejtësi për të ndërmjetësuar. Presidenti ka treguar se asnjëherë nuk ka qenë mbi palët por ka qenë palë. FRD do organizoje strukturat e saja për t’u takuar me njerëzit”, u shpreh Bamir Topi.
Ish-presidenti deklaroi se FRD do jetë forcë pjesëmarrëse në zgjedhjet e 18 qershorit dhe FRD po e analizon situatën. Topi deklaroi se qëndrimet politike të forcave qe sot janë në lojë kanë marrë trajta qesharake.
I pyetur për mundësinë e shtyrjes së datës së zgjedhjeve si tha se duhet respektuar data e zgjedhjeve dhe duhet respektuar mbledhja e komisionit për reformën zgjedhore që duhet të mblidhet urgjentisht.
“Mbas çdo vendimmarrje në parlament ka nevojë të implementohet për të mos e lënë për minutën e fundit. Kam humbur çdo shpresë nga aktorët e politikës shqiptare sepse çdo gjë po e bëjnë në kafene e hotele. Nëse shteti rreshket nëpër kafene e çadra nuk ka asnjë lloj shansi të bëhet”- tha Topi.



