
Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Korçë ku ka prezantuar kandidatët për deputetë të PS. Rama tha se Korça ka qenë një prej pionierëve të transformimit urban dhe se vizioni i maxhorancës së sotme është për ta bërë Shqipërinë kampione të turizmit në Ballkan. Rama tha se më mirë se ne për Korçën nuk gjejnë dot.
Rama deklaroi nga Korça, se e konsideroi fushatën elektorale me pak njerëz një mundësi për t’i dhënë më tepër peshë të fjalës, si një përgjigje për kundërshtarët politikë.
“Është vërtet një fushatë e çuditshme sepse mungon zhurma, muzika përthithëse e mijëra e mijëra njerëzve por na jep mundësinë të bëjmë një bisedë të shtruar dhe të kujdesemi që gjithçka që themi të jetë lehtësisht e dëgjueshme dhe e papërzier me zhurmën e entuziazmit ku nuk ka shumë vëmendje për fjalën. Kjo është një fushatë ku fjala ka më shumë vend dhe mundësia për të dëgjuar është më e madhe.
Dua të them se me këtë që ka ndodhur me transformimin urban, dua që ta them që Korça ka qenë një prej pionereve të këtij transformimi dhe vetë rilindja urbane si një vizion ka ardhur si rezultat i përpjekjeve të disa njerëzve që ka qenë edhe Niko, që në krye të herë në kushte të tjera dhe i rrethuar nga muret e shurdhët e qeverisë nisi një projekt që në këndvështrimin tim është projekti i parë i rilindjes urbane. Më kujtohet kur vija në Korçë dhe flisnim me Nikon pasi bënim shëtitjen për të parë rrugicat që ishin lënë në pikë të hallit diskutonim si mund të nxirrnin qytetet nga një errësirë. Korça ka thesare shumë të çmuara.
Ambicia jonë në vizionin e Shqipërisë 2030 është ta bëjmë Shqipërinë kampione të turizmit në Ballkan, të agro-turizmit dhe në eksporte bujqësore. Është e mundur dhe është një proces që ka hyrë në rrugën e tij të realizimit dhe do kërkojë kohën e vet”, tha Rama.
Rama përsëriti se kjo maxhorancë nuk ka pasur dy mandate për shkak të tërmetit dhe pandemisë. Ai tha se ndërkohë që shumë vend po përpëliten, Shqipëria po bën vaksinimin masiv.
“Ne kemi pasur një mandat dhe një luftë. Një luftë e cila vazhdon dhe tani që po flasim. Mandati i dytë nuk ka qenë një mandat qeverisës mirëfilli, por një mandat i thyer në mes nga dy goditje shumë të rëndë. Dy fatkeqësi të mëdha që mund të kishin plandosur në tokë një elefant. Tërmeti katastrofik dhe pastaj pandemia që tronditi gjithë botën. Dy goditje që na vunë ne si vend dhe ne si qeveri në një sprovë të madhe karakteri, një sprovë të madhe qëndrueshmërie, kurajoje dhe aftësie për t’ia dalë mbanë. Kur ra tërmeti shumë pak besuan që mund t’ia dilnim mbanë.
Ne po ia dalim sot me vaksinimin masiv aty ku të tjerë akoma po përpëliten dhe mezi po bëjnë disa doza simbolike dhe po presin të hyjnë në vaksinimin masiv.
Shqipëria një nga dy vendet që ka filluar vaksinimin masiv dhe me ritmet që po ecim jemi në fashën e lartë të vaksinimit. Nuk ka qenë e lehtë sepse është dashur jashtëzakonisht shumë përpjekje, shumë këmbëngulje. Jashtëzakonisht shumë kombinimin e partneriteteve, bisedave për t’ia dalë që të kemi sasinë e nevojshme të vaksinave”, tha Rama.



