
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot për media se Kosova kërkon bashkëpunim të ngushtë dhe mbështetje ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Francën, derisa potencoi se e konsiderojnë aleat dhe partner shumë të rëndësishëm.
I pyetur në lidhje me deklaratën e presidentit francez Emmanuel Macron “se Kosova është duke bërë lëvizje të njëanshme”, Kurti ka thënë se si qeveri janë duke vendosur sundim të ligjit e rendit publik, si dhe duke siguruar paqe e siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallime.
Ne bëjmë sundim ligji, rend publik, njëkohësisht me paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallime.
Në këtë aspekt duam edhe bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen ndërkombëtare, përfshirë këtu natyrisht edhe Francën të cilën e konsiderojmë vend mik, aleat, e partner shumë të rëndësishëm edhe në BE edhe në NATO.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të enjten gjatë një vizite në Beograd se lëvizjet “e njëanshme” dhe “shqetësuese” të Kosovës nuk japin sinjal të mirë.
Presidenti Macron ka theksuar se janë për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, teksa ka shtuar se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për normalizimin e raporteve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Macron e nisi një vizitë dyditore në Beograd të enjten, ku Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nënshkroi marrëveshje me Francën për blerjen e 12 avionëve të rinj luftarakë ‘Rafale’.



