
Organizata të shoqërisë civile në Kosovë kanë zhvilluar një aksion simbolik para Kuvendit të Kosovës, në shenjë proteste ndaj bllokimit të procesit të konstituimit të tij.
Aksioni u zhvillua pak para përpjekjes së 22-të për konstituim, e cila gjithashtu dështoi.
Në hyrje të Kuvendit, organizatorët vendosën një rresht karrigesh që simbolizonin vendet e deputetëve në sallën plenare. Secila karrige mbante një pankartë me mesazhe të forta për mungesën e përgjegjësisë institucionale të përfaqësuesve politikë.
Disa nga mesazhet e vendosura në karriget simbolike ishin: “120 rroga, 0 përgjegjësi”, “Deri kur?”, “Cirku i demokracisë”, “Ky nuk është serial-është shteti ynë”, “Për çka ju kemi zgjedhur?”.
Ky aksion u organizua nga disa organizata të shoqërisë civile, të cilat theksojnë se bllokada politike po dëmton funksionimin e shtetit dhe besimin qytetar ndaj institucioneve.
Organizatorët paralajmëruan se aksione të tilla do të vijojnë nëse situata nuk ndryshon, duke u bërë thirrje deputetëve që të përmbushin detyrimet e tyre ndaj qytetarëve dhe Kushtetutës së Kosovës.
Aktualisht, Kuvendi i Kosovës nuk po arrin të konstituohet për shkak të mungesës së votave për zgjedhjen e kryeparlamentares, ku kandidatja e propozuar nga partia fituese Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Albulena Haxhiu, nuk po siguron mbështetjen e nevojshme parlamentare.



