
Pensionistët do të përfitojnë në fund të këtij viti një shpërblim prej 5 mijë lekësh të reja. Gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, ministri Arben Ahmetaj tha se shpërblimi i fundvitit për pensionistët tregon vëmendjen e qeverisë për qytetarët.
“Në mënyrën se si e afrojmë paketën e solidaritetit, nuk ka asnjë lidhje me vitin elektoral. Shikoni kohën kur ne japim bonuese, ndërkohë që ata e kanë dhënë vetëm në vite elektorale. Paketa e solidaritetit është kthyer në standard dhe kjo është arsyeja pse e kemi sjellë të konsoliduar në buxhet me shifër konkrete për të garantuar ata që përfitojnë se qeveria ka vëmendje totale të qytetarët”, u shpreh Ahmetaj.
Rritja e masës së shpërblimit për pensionistët vjen pak muaj para nisjes së fushatës së zgjedhjeve lokale 2019.
Vitin e kaluar, Ministria e Financave akordoi një fond prej 1.8 miliardë lekësh për shpërblimin e pensionistëve, në masën 3 mijë lekë të reja.



