Në një karneval që është mbajturdjenë qytetin e Vevçanit në Maqedoninë e Veriut, qytetarët kanë djegur flamurin e Bullgarisë. Në lidhje me këtë ka reaguar ashpër dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, e cila shkruan se pjesëmarrësit në këtë manifestim tradicional, përveç djegies së flamurit, kanë parakaluar me maska e veshje ushtarake, duke treguar, sipas tyre, të kaluarën fashiste të Bullgarisë.
“Pas njoftimeve në media në lidhje me djegien e flamurit bullgar në Vevçani në Republikën e Maqedonisë së Veriut, udhëzova ambasadorin bullgar në Shkup, Angel Angelov, t’i shprehë Qeverisë së Maqedonisë së Veriut pakënaqësinë tonë të fortë për këtë akt vandalizmi. Ambasadori Angelov tashmë i ka dërguar një notë të mprehtë verbale Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut”, njoftoi ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva.
Ndërkohë, në lidhje me këtë çështje ka reaguar dhe Ministria e Jashtme në Shkup nuk e bëri publike përmbajtjen e letrës, por përmes një deklarate e dënoi dhe ajo aktin e djegies së flamurit bullgar.
“Tradita shekullore nuk duhet të rrezikohet nga aktivitete që përçmojnë ose ofendojnë kombet, shtetet, veçanërisht fqinjët tanë. Ne e dënojmë djegien e flamurit të Republikës së Bullgarisë në karnevalin në Vevçani, si akt që dëmton reputacionin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në reagimin e saj.
Ky nuk është rasti i parë i djegies së flamurit bullgar. Një akt i tillë, përmes rrjeteve sociale u shënua edhe në nëntor të vitit të kaluar. Incidenti në fjalë vjen në kohën kur dy vendet janë duke bërë përpjekje që të tejkalohen dallimet, me qëllim që vendi t`i fillojë negociatat me BE-në, që u bllokuan me veton bullgare.



