Kreu i Kuvendit Ilir Meta ka folur për herë të parë për darkën që mbajti me kreun e qeverisë Edi Rama mbrëmjen e së martës, në ambjentet e kryeministrisë. Në një prononcim për mediat, Meta tha se darka me Ramën ishte një takim rutinë pune dhe se në fokus të dsikutimeve ka qenë reforma në drejtësi.
"Rëndësinë e vazhdimit të reformës në drejtësi në mënyrën më kushtetuese, ligjore dhe transparente dhe kjo çështje e domosdoshme dhe së dyti rëndësinë e dialogut për të garantuar standardet më të larta evropiane të zgjedhjeve më 18 qershor dhe kjo kërkon klimë dialogu dhe bashkëpunimi.Negociatat nuk hapen pa u zbatuar në mënyrë korrekte ligji i vettingut dhe pa u realizuar zgjedhjet me standarde të larta në 18 qershor. Të ecim përpara. Të gjithë duhet të punojmë që 18 qershori të japë standardin më të lartë të zgjedhjeve" theksoi Meta.
Duke komentuar protestën e opozitës, ai tha se dialogu me opozitën është i rëndësishëm për integrimin europian.
“Dialogu me opozitën është kyç për integrimin në BE. Parlamenti në radhë të parë është i opozitës, mazhoranca ka edhe qeverinë. Është e mirëpritur që të çojë përpara kërkesat e saj. Parlamenti pa opozitën nuk ka kuptim. Duhet të rritet besimi i shqiptarëve tek zgjedhjet dhe të përmirësohet klima politike”.
Për mbledhjen e Kryesisë së LSI pasditen e sotme, Meta tha se ka qenë e programuar dhe se nuk u vendos pas darkës me Kryeministrin.



