
Në shkollat e vendit, sipas INSTAT janë regjistruar sivjet 12 mijë nxënës më pak krahasuar me vitin shkollor paraardhës. Kjo rënie e numrit të nxënësve vjen si pasojë e emigrimit dhe reduktimit të numrit të lindjeve. Shifra bëhet akoma më alarmante kur kujtojmë se në 5 vitet e fundit janë regjistruar 74 mijë nxënës më pak në shkollat tona.
Deputetja e LSI-së, Erisa Xhixho, thotë se shifra të tilla janë reflektim i politikave të dështuara të qeverisë Rama. Në një postim në Facebook, Xhixho shprehet se sot janë jetike politikat kundër shpopullimit të vendit, i cili po përballet me këtë ikjen në masë të qytetarëve përgjatë viteve të fundit.
Një familje që mendon ikjen nga vendi si opsionin e vetëm për një të ardhme për fëmijët e saj është reflektim i politikave të dështuara të qeverisë Rama.
Sot janë jetike për vendin politikat kundër shpopullimit, që mbështesin mirëqenien e shqiptarëve dhe arsimimin e të rinjve, për të shmangur këtë hemorragji që nuk po ndalet!
Por kjo qeveri nuk e ka prioritet arsimin dhe të rinjtë , por inceneratorët dhe pagesat e tyre që nuk ndaluan as në periudhën e pandemisë, as tani që qytetarët nuk po përballojnë dot çmimet e larta të ushqimeve dhe karburantit.



