Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka pritur në takim sot homologen nga Shqipëria, Elisa Spiropalin, duke u shprehur se këto dy vende kanë marrëdhënie të mëdha bashkëpunimi.
Ai është shprehur se Shqipëria është e paplotë pa Kosovën, duke u shprehur se qytetarët e Kosovës “kanë luftuar me dekada për Shqipërinë”.
Sipas Konjufcës, institucionet e Kosovës kur shohin Shqipërinë “shohin një raport si me vetveten”, duke u shprehur se dy vendet duhet t’i thellojnë raportet.
I pyetur se a ka raporte të ngrira mes dy qeverive, Konjufca ka thënë se s'ka pasur ndonjëherë ngrirje, e sipas tij, bashkëpunimet gjithherë kanë ekzistuar.
Nga ana e saj kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka thënë se në Kosovë ndihet si në shtëpinë e saj dhe ka thënë se Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë.
Spiropali ka thënë se ka biseduar me Konjufcën për një mbledhje të radhës të kuvendeve të dy shteteve.
Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë. Për Shqipërinë e Kosovën bashkëpunimi është prioritet i pandashëm, është binom stabilizues e orientues për të nesërmen tonë dhe të gjithë rajonit.
Ne kemi biseduar që si kryetarë të parlamenteve t’u sugjerojmë qeverive konkretizim më të detajuar të partneritetit strategjik gjithëpërfshirës, duke e bërë atë model inkurajues për bashkëpunim rajonal ndërshqiptar e më gjerë.
Ajo ka folur edhe për dialogun Kosovë -Serbi, duke thënë se duhet medoemos të ketë si rezultat nënshkrimin e një marrëveshjeje të detyrueshme ligjore që mundëson njohjen e ndërsjellë.
Dialogu Kosovë-Serbi në koordinim të plotë me partnerët tanë strategjik SHBA-në e BE-në, duhet të ketë medoemos si rezultat nënshkrimin e një marrëveshjeje të detyrueshme ligjërisht që mundëson njohjen e ndërsjellë, anëtarësimin e Kosovës në OKB e BE, si dhe trajtimin e drejtë të minoriteteve konform kushtetutës...
Është proces i gjatë por herët a vonë në fund të tunelit do të ketë medoemos një dritë, që do të dëshmojë realitetin e pakthyeshëm gjeopolitik – republikën më të re evropiane të Kosovës.
Kryeparlamentarja Spiropali ka thënë se në Tiranë është bindja e palëkundur se Kosova do ta përmbyllë këtë proces me vizion euroatlantik, si partner serioz e i fortë për partnerët strategjikë.



