
Presidenti Ilir Meta, ishte i ftuar në Senatin amerikan nga kryetari i Komisionit të Mbrojtjes, Jim Inhofe, për të mbajtur fjalën në forumin me temë, “Sfidat e Rajonit të Europës Juglindore dhe përballja me ndërhyrjen nga Rusia”.
Ai njohu audiencën me sfidat e sigurisë në rajonin e Europës Juglindore dhe rolin e Shqipërisë në politikën rajonale, qëndrimin e tij mbi bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga BE-ja, si dhe përpjekjet dhe reformat e vendit drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Lidhur me ndërhyrjen e Rusisë dhe rolin e saj në rajon, Presidenti Meta u shpreh se ardhmja rajonin është Europa e Bashkuar dhe NATO-ja, ndërsa Shqipëria dhe shqiptarët do vazhdojnë të jenë promotorë e integrimit të rajonit në NATO dhe BE.
“Teksa vazhdojmë të konsolidojmë demokracinë, shtetin ligjor, luftën kundër krimit të organizuar dhe ndaj ndikimit të huaj që duan të kontrollojnë këtë rajon, ky proces vendimtar nuk është se shkon në të vërtetë krejtësisht i pakontestueshëm. Ne jemi të bindur se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të prodhojë paqe, stabilitet, siguri afatgjatë në rajon duke pasur SHBA-në dhe BE-në si garantues. Rezultatet e kësaj marrëveshjeje përfundimtare do të thonë se Kosova do të jetë njohur nga Serbia si një shtet i pavarur dhe anëtar me të drejta të plota i Kombeve të Bashkuara. Ndryshimi i vetëm kufitar për të cilin duhet të punojmë natë e ditë në rajonin tonë është zgjerimi i plotë i kufirit europian në Ballkanin Perëndimor. Jemi realistë se sfidat gjithnjë e në rritje, me të cilat përballet SHBA-ja në arenën globale, por jo vetëm ato, tranzicionet e BE-së, si dhe sfidat e brendshme strukturore me të cilat përballet Aleanca, kërkojnë dhe meritojnë vëmendje të plotë. Destabilizimi i rajonit është në interes të Rusisë, ndërsa fati i tij në rajon është në BE dhe në NATO gjithashtu”, tha Meta.
Ai foli gjithashtu lidhur me situatën në Maqedoni e Veriut dhe konsideroi miratimin nga dy parlamentet të ndryshimit të emrit si një arritje historike që do ta bëjë rajonin më të sigurtë dhe do ta sjellë më pranë BE-së dhe NATO-s, duke theksuar se ky është një proces i rëndësishëm dhe jetik për të ardhmen e tij.



