
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, priti sot në një takim zyrtar në Tiranë Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Moldavisë, Igor Grosu, me fokus forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe mbështetjen e përbashkët në rrugën drejt Bashkimit Europian.
Gjatë bisedimeve, Peleshi rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për procesin integrues të Moldavisë, duke vlerësuar hapjen e katër nga gjashtë grupkapitujt negociues dhe duke ndarë përvojën shqiptare në përafrimin e legjislacionit, reformën në drejtësi dhe atë territoriale.
Përveç agjendës europiane, të dy krerët e parlamenteve diskutuan edhe mbi koordinimin për përballimin e kërcënimeve hibride, ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit në rajon.
Gjithashtu temë e diskutimit ishte dhe zgjerimi i bashkëpunimit tregtar me fokus në turizëm, bujqësi, teknologji dhe inovacion, si dhe nxitjen e kontakteve mes bizneseve, arsimit dhe kulturës.
