Xhafaj: KLGJ nuk është vetëm organ administrativ, por garanci për besimin e qytetarëve te drejtësia

Xhafaj: KLGJ nuk është vetëm organ administrativ, por garanci për besimin e qytetarëve te drejtësia

Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale zhvilloi këtë të mërkurë mbledhjen e radhës, ku miratoi procesverbalin e mbledhjes së datës 4 mars 2026 dhe shqyrtoi projektrezolutën "Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2025".

 

Gjatë diskutimeve, kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj, theksoi se sistemi i drejtësisë po përballet me sfida të rëndësishme, të lidhura si me procesin e integrimit europian të Shqipërisë, ashtu edhe me problematikat e krijuara ndër vite në këtë sektor.

 

Sot është fakt se sistemi i drejtësisë përballet me një sërë sfidash të rëndësishme që burojnë nga angazhimet dhe detyrimet në kuadër të integrimit të vendit në Bashkimin Europian, por edhe nga problematikat që janë krijuar në këtë fushë. Ndërkohë, pritshmëritë e qytetarëve mbeten të larta, si ndaj reformës në drejtësi, ashtu edhe ndaj institucioneve që e qeverisin atë, mbi të gjitha ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor, si institucioni kyç që mban përgjegjësi kushtetuese dhe publike përballë qytetarëve.

 

Ai vlerësoi se reforma në drejtësi mbetet një nga proceset më të rëndësishme shtetformuese të dekadave të fundit dhe nuk duhet të shihet vetëm në aspektin institucional apo ligjor.

 

Reforma në drejtësi është një nga proceset më të rëndësishme shtetformuese që Shqipëria ka njohur në këto dekada. Ajo duhet parë përtej dimensioneve institucionale dhe ligjore, sepse ngritja e institucioneve të reja nuk ishte qëllimi në vetvete. Qëllimi është që profesionalizmi të shoqërohet me transparencë, përgjegjshmëri dhe besim publik. Institucionet nuk e ndryshojnë realitetin vetëm nga ekzistenca e tyre; atë e ndryshon cilësia e vendimmarrjes, guximi për të vlerësuar veten me objektivitet dhe, mbi të gjitha, aftësia për ta vendosur qytetarin në qendër të çdo vendimi.

 

Duke u ndalur te roli i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Xhafaj tha se përgjegjësia e këtij institucioni shkon përtej administrimit të sistemit gjyqësor.

 

KLGJ nuk është vetëm organi drejtues i qeverisjes gjyqësore. Ai është institucioni kyç që garanton ushtrimin e pavarur të pushtetit gjyqësor. Roli i tij shkon përtej administrimit të gjykatave dhe ndikon drejtpërdrejt në garantimin e të drejtave të njeriut, në forcimin e besimit të qytetarëve te drejtësia dhe në konsolidimin e shtetit të së drejtës. Pavarësia që gëzojnë institucionet e drejtësisë shoqërohet domosdoshmërisht me një përgjegjësi të veçantë. Nuk mund të kërkohet më shumë pavarësi pa pranuar edhe përgjegjësinë që ajo sjell.

 

Kryetari i Komisionit nënvizoi gjithashtu rëndësinë e dialogut institucional mes Kuvendit dhe institucioneve të pavarura, duke theksuar se mbikëqyrja parlamentare nuk duhet parë si mekanizëm kontrolli, por si instrument për përmirësimin e institucioneve.

 

Institucionet janë të forta kur respektohen kufijtë kushtetues të secilit. Marrëdhënia mes Kuvendit dhe institucioneve të pavarura nuk duhet parë si marrëdhënie kontrolli apo hierarkie, por si një dialog institucional që harmonizon përpjekjet në funksion të interesit publik. Ne jemi përpjekur të largohemi nga një proces mekanik i zbatimit të rekomandimeve, sepse një institucion nuk matet nga numri i mbledhjeve apo nga fakti nëse ka zbatuar formalisht rekomandimet e Kuvendit. Ajo që ka rëndësi është të shihet se çfarë ndryshimesh konkrete kanë prodhuar këto rekomandime. Kjo është qasja e re që synon ky komision, në bashkëpunim dhe dialog të ndërsjellë me institucionet e pavarura. Mbikëqyrjen parlamentare e shohim si fillimin e një procesi reflektimi për të kuptuar se çfarë duhet të ndryshojë dhe si mund të përmirësohet funksionimi i institucioneve.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy