
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar sot kërkesën për shfuqizimin e marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik mes qeverisë shqiptare dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Marrëveshja në fjalë është ratifikuar nga Parlamenti më 3 dhjetor 2020 dhe mbi të, mes të tjerash, bazohet edhe rizhvillimi i portit të Durrësit. Gjykata ka hedhur poshtë kërkesën e 37 deputetëve të opozitës, të cilët në nëntor të vitit të kaluar i kërkuan asaj shfuqizimin e kësaj marrëveshjeje me pretendimin se ishte në shkelje të ligjit themeltar të shtetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar, çka do të thotë se nuk mbetet asnjë pengesë ligjore për vijimin e projektit të shumëkundërshtuar të portit të Durrësit.



