Të dhënat zyrtare nga tatimet për Pagën e Luftës tregojnë se prej atyre që teorikisht e përfitojnë këtë pagesë, vetëm gjysma janë kualifikuar për ta marrë, Partia Demokratike reagon përmes ish-deputetes Jorida Tabaku duke e konsideruar skualifikimin e tyre të padrejtë.
Në reagimin e PD-së, Jorida Tabaku shkruan se prej disa ditësh shumë nga bizneset që kanë aplikuar për fondin që ka vendosur qeveria për ekonominë kanë treguar se si po skualifikohen pa të drejtë nga marrja e pagesës.
Sipas saj, në PD kanë ardhur me qindra ankesa dhe denoncime për trajtim të padrejtë dhe refuzim të pagesës nga qeveria që ka vendosur fonde të pamjaftueshme për numrin e të vetëpunësuarve dhe bizneseve në nevojë.
Tabaku, thekson se ata thonë se kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër.
“Fatkeqësisht kanë të drejtë. Në VKM-në e miratuar specifikohej se përfitonin të gjithë bizneset e vogla të mbyllura në bazë të listëpagesave deri në janar 2020. Qeveria e vonoi një muaj të VKM-në ndërsa bizneset janë deryruar të ndërpresin kontratat për mijëra punëtorë”, citohet nga deklarata e saj.
Ajo, edhe në emër të PD, mendon se qeveria po vështirëson pagesat duke seleksionuar mes bizneseve dhe qytetarëve.
“Sot mijëra biznese e punonjës janë duke u përjashtuar padrejtësisht nga mbështetja. I gjithë buxheti i shtetit dhe çdo burim duhet të jetë në dispozicion të shëndetësisë, të ndihmës sociale dhe të ekonomisë. Diskriminimi për bukën e gojës eshte i pafalshëm, kushton jetë dhe shëndet. Qeveria duhet urgjentisht ti japë fund diskriminimit të familjeve dhe shqiptarëve në nevojë për të mbrojtur favoret dhe paratë e oligarkëve”, tha ajo.
Duke iu drejtuar qeverisë, Tabaku i bën thirrje se ata persona që kanë mbetur pa punë dhe pa të ardhura duhet të marrin mbështetjen minimale për ekzistencë.
Për të realizuar një gjë të tillë, sipas saj, mjafton që kryeministri i vendit të zgjedhjë tre milionë shqiptarë përpara dhjetë oligarkëve.



