PD i është kundërpërgjigjur sot kryebashkiakut Erion Veliaj, pas pretendimeve të tij se kryetari i PD, Lulzim Basha kur ka mbajtur postin e tij si kryebashkiak, nuk ka investuar për lumin e Tiranës. Në një komunikim për media, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa u shpreh se ishte pikërisht ish-kryebashkiaku Lulzim Basha, ai që nisi investimin për sistemimin e Lumit të Tiranës, pasi paraardhësi i tij, Edi Rama për 11 vjet e la në ‘harresë’.
“Projekti i Lulzim Bashës për Lumin e Tiranës ishte shndërrimi i tij nga një bombë ekologjike, që mblidhte mbi 1 milion metër/kub plehra, në një oaz të gjelbër për kryqytetin, pjesë e Bulevardit të Ri. Në të vërtetë, Erion Veliaj nuk ka vizion, nuk punon për qytetarët, sepse, njësoj si Edi Rama, shkon pas pasurimit, pas betonit, pas luksit. Bulevardi i Ri, Pazari i Ri, Lumi i Tiranës, çdo projekt strategjik në interes të qytetarëve dhe me të cilin Erion Veliaj mburret, është projekt i Lulzim Bashës si Krytar i Bashksië së Tiranës dhe i bllokuar nga Edi Rama sapo erdhi në pushtet,”-tha Zhupa.


Kryebashkiaku Erion Veliaj, postoi sot një video të lumit të Tiranës, duke nënvizuar sipas tij, punën e bërë sistemimin e Lumit të Tiranës dhe kthimin e zonës në një hapësirë të gjelbër.



